15 vite nga protesta e 21 janarit ku humbën jetën katër qytetarë, familjarët ende s’kanë gjetur drejtësi

Kjo e mërkurë shënon 15 vite nga 21 janari i vitit 2011, ku në një protestë të organizuar nga PS, atë kohë në opozitë, humbën jetën 4 qytetarët, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj dhe u plagosën disa të tjerë.

Dosja për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar të 2011-es është tashmë në duart e SPAK teksa familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.

Në fakt, ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti 21 janarin krim shtetëror që i hapi rruge hetimeve nga SPAK, me këtë të fundit që regjistroi procedimin penal 2 vite më parë. Për këtë çështje në SPAK kanë dëshmuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-Presidenti Ilir meta, ndërsa ende nuk është thirrur organizatori i protestës, Edi Rama, që në atë kohë ishte kryetar i opozitës.

Kujtojmë se Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” 10 vite pas ngjarjes së rëndë. Si çdo vit edhe këtë 21 janar nuk do të mungojnë homazhet nga familjarët dhe politikanët në vendin ku u vranë protestuesit. Padyshim që 21 janari është një ndër ngjarjet më të rënda në Shqipëri ndërsa familjarët e viktimave, nuk kërkojnë gjë tjetër veçse drejtësi, pasi kjo ngjarje nuk është zbardhur e plotë dhe vijon të prodhojë debate.