14 të vdekur nga stuhia dimërore në SHBA, ndërprerje të energjisë elektrike dhe anulime fluturimesh

Një stuhi e fuqishme po godet disa pjesë të SHBA-së, duke lënë të paktën 14 persona të vdekur dhe qindra mijëra pa energji elektrike.

Viktima janë raportuar në Nju Jork, Tenesi, Luiziana, Masaçusets, Kansas dhe Teksas, ku një vajzë 16-vjeçare humbi jetën në një aksident gjatë rrëshqitjes me slitë.

Fluturime janë anuluar dhe shkolla si dhe rrugë në mbarë vendin janë mbyllur.

Numri i fluturimeve të anuluara sot ka arritur në 10,061, sipas faqes FlightAëare.

Nju Jorku ka pësuar goditjen më të madhe, me 379 fluturime të anuluara dhe më shumë se 30 të vonuara në aeroportet JFK, LaGuardia dhe Neëark.

Stuhia dimërore po shkakton gjithashtu anulime të shumta në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit, si edhe në aeroportet Dulles, Reagan dhe Baltimore në zonën e Uashingtonit.

Njëzet e tre shtete, si dhe Uashington DC, kanë shpallur gjendje emergjence për shkak të kushteve të acarta, ndërsa të paktën 10 prej tyre kanë aktivizuar Gardën Kombëtare.

Qindra paralajmërime për të ftohtë ekstrem janë aktualisht në fuqi në pjesë të mëdha të jugut të SHBA-së, ndërsa qindra paralajmërime të tjera për stuhi dimërore dhe këshillime për mot të ftohtë janë lëshuar në zonat qendrore dhe lindore të vendit.