Kompania sllovene Cetis, do të prodhojë 245.808 fletë votimi për diasporën për zgjedhjet e 11 Majit, që do të shpërndahen në 85 vende të botës. Ndërkohë më 5 prill do të nisë procesi për përgatitjen e materialeve zgjedhore dhe më 10 prill pritet që fleta të dërgohet drejt zgjedhësve jashtë vendit, bëri të ditur sot kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Numërimi i votës së Diasporës do të bëhet në Parkun Olimpik të Tiranës, ku do të behet po ashtu edhe përgatitja e dokumentacionit zgjedhor. Kujtojmë se Diaspora voton për herë të parë në zgjeshje. Në total janë 245.808 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar për të votuar në 11 Maj.
“Brenda afatit ligjor të parashikuar në nenin 94, pika 1, të Kodit Zgjedhor, është mundur të sigurohet ambienti pranë Parkut Olimpik të Tiranës “Feti Borova”, ku do të kryhen tre procese të votimit nga jashtë, siç janë: përgatitja e dokumentacionit zgjedhor, ruajtja dhe administrimi i votave nga jashtë deri në momentin e fillimit të numërimit, si dhe numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë. Nga shqyrtimi i të dhënave të objekteve të paraqitura rezulton se Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova” përmbush kushtet e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe Vendimin përkatës të Komisionit Rregullator”, thuhet në vendimin e KQZ-së.