Zyrtari i PS kërcënon deputetin e Mundësisë, reagon Shehaj: Asnjë hap pas! Do denoncojmë çdo padrejtësi

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar publikisht kërcënimin që i ka ardhur në telefon deputetit Erald Kapri nga një zyrtar i Partisë Socialiste, pas denoncimeve të bëra për skandalin në Postën e Durrësit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj zbulon edhe përmbajtjen e kërcënimit që, sipas tij, i është bërë deputetit të Mundësisë:

“Mos vazhdo më, se ndryshe do ta tregojmë ne!”

“Ky ishte kërcënimi që ka ardhur në telefonin e deputetit Kapri nga një zyrtar i lartë i PS-së”, shprehet Shehaj, ndërsa pyet deputetin Erald Kapri për arsyen e kërcënimit.

Kapri sqaron se kërcënimi ka ardhur pas denoncimit të tij për drejtoreshën e Postës në Durrës:

“Denoncova drejtoreshën e Postës në Durrës e cila vodhi 3 milionë euro në thasë plehrash dhe i ka lënë pensionistët pa pensione atje. Ky është i shoqi. Dhe tha ‘mos flisni më për këtë çështje se do ta shikoni!’”

Shehaj e cilëson ngjarjen të papranueshme dhe paralajmëron se kërcënimet nuk do ta ndalin Partinë Mundësia nga denoncimi i padrejtësive dhe abuzimeve.

“Tani kjo është çmenduri! Kur arrijnë të kërcënojnë një deputet imagjinoni se çfarë bëjnë me një qytetar të thjeshtë i cili do të denoncojë një padrejtësi. Nuk na e mbyllni dot gojën! Nuk ka shanc! Edi Rama, Taulant Balla, Belinda Balluku kanë lëshuar zagarët prej muajsh. Duan të na mbyllin gojën. Por nuk kanë për t’ia dalë. Do të vazhdojmë të jemi në krah të qytetarëve. Do të vazhdojmë të flasim. Nuk na ndaloni dot!”

Në reagimin që shoqëron videon, Shehaj shkruan:

“Pasi vodhën me çanta paratë e pensionistëve, zagarët e Edi Ramës kërkojnë t’i mbyllin gojën deputetit të Partisë Mundësia. Kur kërcënojnë një deputet, imagjinoni çfarë u bëjnë këta qytetarëve të zakonshëm, pa imunitet!

Asnjë hap pas. Do denoncojmë çdo padrejtësi dhe do flasim për këdo që nuk ka zë dhe është i pambrojtur përballë pushtetit banditesk e të korruptuar të Edi Ramës.”