U arrestua pas 8 muajsh arrati, Gjykata e Tiranës lë në burg Ylli Zallën

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Ylli Zallën, pas arrestimit të tij dy ditë më parë.

Ylli Zalla ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025 i dyshuar se ka furnizuar me armë e arsenal autorët e atentatit në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Pas kësaj ngjarje të rëndë në banesën e tij në Fushë-Krujë, policia zbuloi një arsenal armësh tipik ushtarak, çka nxiti dyshime për lidhje të tij me autorët e masakrës apo grupe kriminale.

Avokati i 49-vjeçarit deklaroi se klienti i tij nuk paraqet rrezikshmëri të lartë dhe se sendet e gjetura në pronën e tij nuk dëshmojnë për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.

“Ylli Zalla nuk ka asnjë rrezikshmëri të lartë si person apo vepra të ketë rrezikshmëri të veçantë. Së pari, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, në ferra, pa asnjë rregull apo masë për ruajtjen e tyre, të paprekura apo të ambalazhuara. Së dyti, disa nga kapsollat detonatore nuk kanë qenë të afta të bëjnë plasjen apo disa bomba që nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur.”

Sipas avokatit, edhe armët e sekuestruara janë të vjetra dhe nuk paraqesin elemente që të tregojnë përdorimin e tyre në veprimtari kriminale.

“Së treti, armët janë prodhime të vjetruara, rreth 50-vjeçare, prodhime kineze të vitit 1982. Madje edhe sasia e kanabisit e sekuestruar ka qenë nën efektin e agjentëve atmosferikë, duke mos pasqyruar asnjë lloj kujdesi nga ana e të arrestuarit.”