Rritet bilanci i të vdekurve si pas zjarrit që ra në hotelin Grand Kartal, në Kartalkaya, në një lartësi prej 2200 metrash, një nga vendpushimet e rëndësishme të skive në Turqi.
Ministri i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya njoftoi se 66 persona humbën jetën dhe 51 të tjerë u plagosën nga zjarri. Ai tha se hoteli ku ra zjarri ishte 12 kate dhe 238 klientë të regjistruar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30, kohë kur shumica e pushuesve ishin në gjumë, gjë që e vështirësoi edhe më shumë situatën, raportojnë mediat turke. Zjarri, u përhap me shpejtësi për shkak të mbulesave të jashtme prej druri të hotelit.
Një numër videosh, disa të shpërndara në mediat sociale dhe të tjera të transmetuara nga stacionet televizive turke, tregonin flakët që dilnin nga katet e fundit të hotelit. Disa njerëz u panë duke përdorur çarçafë të lidhur për t’i shpëtuar zjarrit.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
Ndërkohë ekipet e shpëtimit po kërkojnë ende në hotel për të mbijetuar teksa pritet që numri i viktimave të rritet sërish.