Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të mbjellë me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë të bashkisë së Fierit.
Raportohet se flakët u janë afruar dy lokaleve në afërsi të Qafës së Koshovicës, në anën lindore të Radostinës.
Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet.
Ndërkohë disa familje janë evakuuar për shkak se tymi ka mbuluar shtëpitë e tyre.
Zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve që favorizohen nga era e fortë duke vështirësuar ndërhyrjen. Një tjetër problem për ekipet zjarrfikëse mbetet terreni i thyer. Sakaq për shuarjen e flakëve ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri.