Zgjedhjet/ Miratohet fondi, alokohen 2.5 miliardë lekë shtesë për KQZ-në

Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit 2025 kërkon para shtesë pasi shpenzimet për përmbushjen e këtij procesi janë të larta.

Në këto kushte, Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme ka miratuar një fond shtesë për buxhetin e vitit 2025, i cili do të shkojë në llogari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të përdoret për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave, KQZ-së do t’i shtohet fondi prej 2.5 miliardë lekësh, për përmbushjen me sukses të procesit zgjedhor të 2025.

Fondi i alokuar nga qeveria do të ndahet si më poshtë:

– 2 460 000 000 (dy miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë milionë) lekë, në zërin “Shpenzime korrente”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;

– 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, në zërin “Shpenzime kapitale”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në “Fletoren zyrtare”, ndërsa Ministria e Financave dhe KQZ janë ngarkuar për zbatimin e vendimit.

Këto zgjedhje kanë kosto të lartë financiare pasi edhe Diaspora do të votojë për herë të parë, pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri.

Ata do të hedhin votën e tyre me postë dhe transporti i saj do të paguhet nga buxheti i shtetit.