Zgjati vetëm një orë, mbyllet protesta e opozitës para Kryeministrisë

Rreth një orë ka zgjatur protesta e opozitës para Kryeministrisë, ku u kërkua dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku, pasi kjo e fundit u pezullua nga detyra e saj nga GJKKO, pas abuzimeve në tunelin e Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe.

Gjatë kësaj proteste,  folën disa prej deputetëve të Partisë Demokratike dhe kryedemokrati, Sali Berisha.

Ky i fundit gjatë fjalës së tij tha se opozita shqiptare gëzon sot më shumë mbështetje ndërkombëtare se kurrë më parë.

Ndërkohë akuzoi qeverinë Rama si më antishqiptare dhe më hajdute që ka njohur kombi shqiptar.

“Vij sot nga Brazili për t’ju garantuar se kemi miq më shumë se kurrë. Ju, demokratë opozitarë shqiptarë, në betejën më të vështirë që përballemi, nuk jeni vetëm, por keni mbështetje të madhe nga njerëz të lirë nga e gjithë bota, që duan lirinë dhe të vërtetën”- u shpreh Berisha para mbështetësve të tij.

Edhe pse protesta ishte parashikuar deri në orën 8, ajo nisi me vonesë dhe përfundoi më herët.

Partia Demokratike ka deklaruar se tubimet para selisë së qeverisë do të zhvillohen çdo javë deri sa të japë dorëheqjen kryeministri Edi Rama dhe numri dy i qeverisë Belinda Balluku.