Ka mbetur edhe pothuajse 1 muaj nga dita e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit, por ende partitë politike nuk i kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre.
Tirana është Bashkia e vetme që duket se i ka të zyrtarizuar kandidatët e saj, pasi Ogerta Manastirliu e Partisë Socialiste dhe Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë kanë shpallur kandidaturat, ndërsa drejt zyrtarizimit është edhe Florian Binaj nga Partia Demokratike.
Ndërkohë, sot janë zbuluar edhe dy kandidatët e Partisë Socialiste për Bashkitë e Beratit dhe Matit. Në Berat, kandidati socialist do të jetë Ervin Ceca, i cili është edhe kryetari i komanduar i Bashkisë. Ai mori detyrën pas largimit të Ervin Demos, i cili kandidoi dhe fitoi mandatin e deputetit në 11 Maj.
Ndërsa në Mat, socialistët duket se do t’ia besojnë garën Altin Bojnit, i cili është drejtor i Shëndetit Publik dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Matit.
Sot pritet që të zyrtarizohet edhe kandidatura e tij, pas mbledhjes së strukturave të PS-së, që vendosën se Bojni është kandidati që mund t’i përfaqësojë më mirë në 9 Nëntor.