Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka zhvilluar sot një takim informal me gazetarët, ku ka folur për hetime të rëndësishme që institucioni që ai drejton po zhvillon.
I pyetur për hetimet mbi “21 janarin”, ai u shpreh se vendimi për rihapjen e çështjes u mor nga Gjykata e Lartë në Mars të vitit 2024, ndërsa në 15 Korrik është bërë regjistrimi i procedurës penale pa emra konkretë.
“Çdo ditë për këtë çështje kryhen veprime konkrete pasi është një dinamikë që sjell nevojën për veprime të përditshme,” tha Dumani.
Kreu i SPAK tha se së shpejti do të publikohet edhe strategjia e hetimit për krimet zgjedhore, pasi pritet vetëm miratimi i saj.
“Strategjia thuajse ka përfunduar dhe pritet miratimi i saj. Po ashtu, është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër, por për momentin nuk mund ta bëj publik urdhrin,” u shpreh ai.
Komunikimet e politkanëve në “Sky Ecc” janë një temë e nxehtë në vendin tonë, ndaj edhe kjo pyetje iu drejtua Dumanit, i cili tha se SPAK nuk ka në dispozicion gjithë databazën e Sky Ecc, por në vazhdimësi po kërkojnë kode të tjera në bazë të hetimeve që kanë.
“Nuk është e vërtetë që nuk ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e Sky EÇ, në vazhdimësi po kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deri tanishme, nuk na ka dalë lidhja direkte. Ne si institucion jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemi, duke u përpjekur që të jemi sa më objektiv. Tashmë kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, ne po presim vendimin e arsyetuar për të parë argumentet. Ne përpiqemi që të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në Sky Ecc, por t’i lidhim ato edhe me prova të tjera. Ju garantoj që në momentin që konstatohet kudo person, dhe nëse kemi prova, do të marrim vendimet tona,” tha kreu i SPAK.
Për pezullimin e hetimeve për Olsi Ramën, Dumani tha se nukë shtë gjetur asnjë provë që ta implikonte, duke hedhur poshtë pretendimet e Gazment Bardhit.
“Përgjigja është ajo që keni marrë. SPAK ka kryer hetimet dhe ka vendosur pezullim për mos zbulimin autorëve. U hetua edhe përfshirja e Ols Ramës, nuk u gjet provë. U pezulluan hetimet për shkak se nuk është regjistruar emri i tij si person në hetim. Në rast se do ishte në hetim, do kishte pushim të çështjes”, tha ai.
I pyetur për hetimet ndaj Erion Veliajt, kreu i SPAK deklaroi se ato janë në fazë paraprake dhe se kontrollet u bënë për të gjetur prova, por nuk dha më shumë detaje.
“Po hetohen veprat penale. Çështja është në fazën e hetimit paraprak kontrollet që janë bërë janë mjet për gjetjen e provës”.