Një ngjarje e rëndë ndodhi rreth orës 21:45 të së martës në malin e Kolajve, ku Emiljano Paloka, 27 vjeç, u qëllua me armë dhe më pas u transportua për ndihmë mjekësore në spitalin e Shkodrës.
27 vjeçari është dërguar drejt spitalit rajonal të Shkodrës duke iu nënshtruar një operacioni ndërsa ndodhet në repartin e reanimacionit në një gjende stabël, por nën kujdesin e mjekëve.
Mësohet se Emiljano Paloka ka marrë një plumb në pjesën e barkut ndërsa ka pësuar një dëmtim të konsiderueshëm.
Policia ka zbardhur sot ngjarjen që në fillim u dyshua si një konflikt midis disa të rinjve.
Por mësohet se 27-vjeçari ndodhej brenda automjetit bashkë me dy shokë të tij dhe plagosja ka ndodhur brenda në makinë ku është gjetur edhe gëzhoja e armës së zjarrit.
Nga hetimet e para dyshohet se plagosja e Emiljano Paloka ka ndodhur padashje nga një prej shokëve të tij në një shkrepje të pavetëdijshme të armës në lojë e sipër brenda automjetit.
Pas plagosjes menjëherë 27-vjeçari është transportuar drejt spitalit të Shkodrës nga dy shokët e tij me të cilët ndodhej dhe pasi e kanë lënë në urgjencë janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka identifikuar këta dy shtetas dhe po punon për gjetjen e tyre lidhur me këtë ngjarje.
Ndërkohë plagosja ndodhi mes errësirës në aksin Shkodër-Velipojë në një vend ku nuk ka as kamera sigurie ndërkohë që në atë orar nuk ka patur as dëshmitarë përveç dy shokëve të 27 vjeçarit që ndodheshin brenda makinës së bashku me të. Policia dhe prokuroria janë duke punuar për zbardhjen e plotë të plagosjes së shtetasit Emiljano Paloka.