Zbardhet dëshmia e vrasësit të Egli Pashollarit: E bëra për vetëmbrojtje, kishte bllokuar rrugën

Është zbardhur dëshmia e Gazment Buçpapës, i cili vrau me thikë 31 vjeçaron Egli Pashollari, pas një konflikti të çastit, ngjarje kjo e ndodhur pak ditë më parë.

Buçpapaj, i cili u arratis pas krimit të rëndë, u arrestua një ditë më parë në Tropojë, ku fshihej tek disa të afërm të tij.

Buçpapaj thotë se krimin e bëri në kushtet e vetëmbrojtjes.

Ai ka deklaruar se ditën e ngjarjes kishte marrë bashkëshorten nga puna dhe ishte nisur drejt spitalit, por rrugën e kishte gjetur të bllokuar.

“Gjeta rrugën të bllokuar, i rashë borisë, por viktima më shau nga makina”, citohet të ketë thënë Buçpapaj.

Buçpapaj ka pohuar se i ka rënë borisë, ndërsa, sipas tij, viktima e ka sharë nga makina. Të dy mjetet kanë vijuar lëvizjen për rreth 100 metra, moment kur, sipas deklarimit të tij, Egli Pashollari ka ndaluar automjetin, ka zbritur dhe e ka ofenduar sërish.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më datë 20 shkurt, në rrugën “Kongresi i Lushnjes”. 31 vjeçari Pashollari mori plagë të rënda dhe humbi jetën rrugës për në spital.