Mesazhi i fundit i Yuri Kim, nga Berisha, MEK, korrupsioni te heqja e vizave me SHBA

Ambasadorja në largim e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka mbajtur sot përpara gazetarëve fjalimin e saj të lamtumirës.Kim ka thënë para shqiptarëve se mijëra njerëz morën vizën amerikane gjatë këtyre viteve dhe ajo nuk e sheh të largët ditën kur nuk do të kërkohet fare vizë.

Ambasadorja foli edhe për përplasjen që ka patur me ish kryeministrin Sali Berisha ndërsa e ka quajtur atë një sfidë, me të cilën zakonisht përballet çdo ambassador.

“ Kemi bërë hapa të mëdhenj për të vënë në vijë marrëdhëniet tona; ecni para, mos u dorëzoni kurrë. Nuk duhet të dorëzohemi kurrë sepse populli shqiptar nuk meriton më pak. Dua t’ju shpreh diçka personale; përvoja ime këtu më ka ndryshuar. Do e lë Shqipërinë me respektin për historinë e traditat tuaja, do largohem me mirënjohje dhe solidaritet më të fortë për padurimin tuaj për një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Në qershor të 2022 nënshkruam memorandumin për bashkëpunimin për rrjetin 4G. Investimet e huaja të SHBA arritën në një nivel të ri, që është dyfishi i asaj të pandemisë. Tregtia jonë dypalëshe është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Jam besimplotë që investimet e SHBA do të rriten dhe Shqipëria do të modernizojë sistemin për rregullat e biznesit, të zgjidhë kërkesat dhe zbatojë të drejtat e pronës dhe të çrrënjos korrupsionin. Çështja e reformës në drejtësi, çrrënjosja e korrupsionit nuk është vetëm kusht i SHBA, por dhe që Shqipëria të jetë aleate e fortë. SHBA ishin krenare që ndoqën udhëheqjen tuaj kur Shqipëria udhëhiqte OKB. Duhet të theksoj se nuk janë rregullat ato që kërcënojnë paqen, por thyerja e tyre që e kërcënojnë atë.”, tha ajo.

Në fjalimin përmbyllës Yuri Kim dha edhe qëndrimin e saj për përplasjet e djeshme mes policisë dhe muxhahedinëve.

“Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka disa kushte të caktuara që zbatohen për çdo mysafir në vendin tuaj dhe mysafirët duhet t’i respektojnë ato. Është një vendim që i përket qeverisë shqiptare nëse do t’i largojë apo jo muxhahedinët”, tha ajo.

Kim foli edhe për detyrën e saj të re ndërsa tha se do të ketë lidhje me Shqipërinë, por disa persona nuk u kënaqën me këtë detyrë të re të saj. “: Në pozicionin tim të ardhshëm do kem përgjëgjësi për Europën edhe Shqipërinë, ndoshta jo të gjithë janë të kënaqur me këtë, por unë jam”, u shpreh ajo.