Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur presidentin Vuçiç një Millosheviç të ri, i cili duhet dorëzuar në Gjykatën e Hagës.
Sipas Berishës Vuçiç ka kryer krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve dhe nëse në Beograd vazhdon të jetë ai, rajoni do të ketë vetëm konflikte.
“Sulmi i djeshëm terrorist në manastirin e Banjskës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur, të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon. Për PD, dje rajoni ynë përjetoi ngjarjen më të rëndë në fushën e sigurisë, që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës. Fillimin në ora 3 mëngjesit në Zveçan të kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi i serbëve në veri të Kosovës.
Kjo kryengritje, siç do ta quante sulmin terrorist vetë Aleksandër Vuçiç, shënonte fillimin e skenarit të njoftuar publikisht nga Kremlini për hapjen e një konflikti të ri, krahas atij të Ukrainës, në Ballkan për interesa të mirëfillta të rusomadhisë dhe serbomadhisë.
PD i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dorëzojë sa më parë Vuçiçin në Gjykatën e Hagës për pjesëmarrjen e tij thelbësore në gjenocid dhe krime shfarosëse kundër njerëzimit të kryer nga Beogradi ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve pak vite më parë.
Dorëzimi i Milloshevicit të ri në Hagë do të ishte jo vetëm përmbushje e detyrimit ligjor dhe moral ndaj viktimave të gjenocidit por edhe kushti mbi të gjitha kushteve për paqe dhe bashkëpunim në rajon. Me Vucic në Beograd Rajoni nuk do të gjejë paqe, por vetëm konflikte dhe trazira”, tha ish kryeministri.
Berisha ngriti edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili u tregua neutral dje sërish në reagimin që pati, dhe sipas Berishës nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, por përsëriti kërkesën e Beogradit por konferencë ndërkombëtare.
“Por si me komandë nga Beogradi reagoi ndaj sulmit të grupit terrorist të përbërë nga oficerë të ushtrisë serbe argati i Vuçiç në Tiranë Edi Rama. Në reagimin e tij Rama nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në krye të detyrës sikur po ndodhte përleshje banditësh. Përsëriti kërkesën e Beogradit, por konferencë ndërkombëtare për të zhbërë arritjet 20-vjeçarë të Kosovës”.