Vrau Pjerin Xhuvanin në Elbasan 4 ditë para zgjedhjeve, dënohet me 22 vite burg ish efektivi i Reneas

Është dënuar me 22 vite burg Arbër Paplekaj, i akuzuar  për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan. Gjykata ka vendosur gjithashtu 18 muaj sherbim prove  për efektivet e shqiponjave dhe 1 vit shërbim prove për dy nëndrejtorët. Prokuroria kishte kërkuar 25 vite burg për ish efektivin e RENEA-s.

Ngjarja ndodhi në prill të vitit 2021 në Elbasan, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021.

Arbër Paplekaj ishte pjesë e grupit të mbrojtjes së votës, të ngritur nga demokratët në zgjedhjet e prillit dhe shkoi në lagjen 5 Maji pasi kishin konstatuar një person me lista votuesish dhe që shpërndante para në këmbim të votës.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).

Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.