Vrau kunatën pas konfliktit për shtëpinë, Gjykata e Posaçme i shton edhe 3 vite burg Agron Tanushit

Gjykata e Posaçme e Apelit i ka shtuar tre vite të tjera burg Agron Tanushit, 34 vjeçari që vrau tre vite më parë kunatën me armë zjarri në Bathore. Ai do të qëndrojë 28 vite në qeli, nga 25 që ishte dhënë më parë.

Ai vrau me armë kunatën Jetmira Hasani në shtatorin e vitit 2020, në zonën e Bathores në Tiranë dhe u largua nga shtëpia. Fillimisht u tha se ngjarja kishte ndodhur për shkaqe morali, por më vonë u provua se shkak ishte konflikti për pronën ku ndodhej shtëpia.

34 vjeçari u arrestua nga Policia dhe ka treguar se i kishte kërkuar kunatës, e cila ishte divorcuar nga vëllai i tij, që të largohej nga shtëpia por ajo vazhdonte të qëndronte aty duke pretenduar se një pjesë e shtëpisë i takonte asaj.

Të pranishëm në sallën e gjyqit kanë qenë dhe familjarët e viktimës, Jetmira Hasani, të cilët kanë kërkuar që Agron Tanushi të dënohet me burgim të përjetshëm. Si viktima dhe autori në atë kohë kanë qenë të pajisur me urdhër-mbrojtje.

Grupi hetimor gjeti në vendngjarje 4 gëzhoja në cilësinë e provës materiale, ndërsa bëri me dije se në momentin e vrasjes Jetmira Hasani ishte së bashku me fëmijën 8 vjeç. Fatmirësisht, fëmija nuk u prek nga plumbat.