Vrau familjen shqiptare që jetonte me qira në shtëpinë e tij, dënohet 4 herë me burgim të përjetshëm pronari grek

Pronari grek i shtëpisë që masakroi qiraxhinjtë shqiptarë është dënuar katër herë me burgim të përjetshëm, një vit pas ngjarjes së rëndë.

61 vjeçari Sakis Varvaresos kreu krimin makabër në mars të vitit të kaluar, kur vrau me armë 32 vjeçarin Armando Kloci, gruan e tij Maria dhe mbyti dy fëmijët 1.5 dhe 2.5 vjeç. Ai ishte bërë gati të fshihte krimin por djali tjetër i familjes së vrarë, 10 vjeç, u kthye në shtëpi së bashku me një bashkëmoshatarin e tij.

Ishte pikërisht i mituri që zbuloi edhe krimin e rëndë që i ishte bërë nënës dhe njerkut të tij. Ai vrapoi për tek krevati i vëllait të vogël dhe duke e marrë në krahë nxitoi të dilte në rrugë dhe të kërkonte ndihmë nga fqinjët.

Fillimisht u dyshua se vrasja kishte si autor burrin e parë të Marias, edhe ai shqiptar, i cili jetonte afër Athinës, por shpejt u zbulua se ai kishte qenë në punë gjatë orarit kur ndodhi krimi.

Para se të ekzekutonte viktimat, autori kishte prerë energjinë elektrike. Krimi dukej i paramenduar, autori donte të zhdukte gjurmët e familjes së vrarë dhe kishte nisur t’i ngarkonte kufomat në karrocerinë e makinës për t’i transportuar. Por kur pa që e zbuloi djali tjetër, atëherë është larguar,për tu arrestuar disa orë më vonë nga policia. Në fillim nuk ka pranuar krimin, por më pas e ka pohuar me justifikimin se vrasjen e kishte bërë për arsye se familja shqiptare nuk i kishte paguar qiranë e dy muajve të fundit.

Drejtuesja e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Patrës, Konstantoula Athanasopoulou, gjatë fjalës së saj theksoi se “i pandehuri ka vepruar me egërsi të veçantë dhe ka dashur t’i eliminojë si familje” dhe me ton të veçantë është shprehur se “është kriminel!”.

Duke iu referuar skenës së krimit dhe mënyrës së veprimit të tij, ajo vuri në dukje se “ai vrau, qëlloi, mbyti, tërhoqi zvarrë, lau dhe do të kishte vazhduar të pastronte vendin e krimit por ishte i pafat, sepse djali i tjetër i familjes trokiti në derë. Më pas ndërroi rrobat, u largua për në Patra, fshehu armën dhe nuk bashkëpunoi me policinë për gjetjen e saj”.

Gjithashtu, hodhi poshtë të gjitha pretendimet për çrregullim mendor dhe humbje të kujtesës, duke theksuar se i akuzuari nuk ka histori psikiatrike dhe se ka një koherencë të vërtetë në të gjitha veprimet e tij.