Protestuesit i kërkojnë dorëheqjen, Rama i sulmon: Janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një komunikim për mediat, duke sulmuar sërish protestuesit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij.

Sipas Ramës, protesta është e financuar nga forca të huaja teksa pretendoi se përshkallëzimi me dhunë është përgatitur prej disa muajsh.

Ai tha se policia disponon të dhëna për futjen në vend të maskave dhe lëndëve eksplozive, si dhe për organizimin e grupeve të përfshira në protesta.

Sipas kreut të qeverisë, “Në duart e policisë së shtetit janë edhe pjesëmarrësit apo një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë, ku qershia mbi tortë, ose më saktë glasa mbi tortë është PD, e cila dje mori dhe autorësinë e fillimit të dhunës tek ministria e Arsimit”.

“Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje si një koment fyes për studentët. Qysh se nisi protesta paqësore e Flamingove kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime, mund të jenë edhe të pafundme por që në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë përmes doganës nga subjekte të caktuara janë në duart e policisë. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA që në emër të neo komunizmit, anarkisë dhe anti kapitalizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës janë duart  e policisë së shtetit”, tha Rama.

Por kreu i qeverisë nuk u ndal vetëm në akuza, por vijoi duke u bërë gjyqin publik protestuesve.

Rama publikoi edhe fotot dhe inicialet e personave të ndaluar në protestë, që sipas tij kanë precedentë kriminalë.

“Dhuna në protesta erdhi nga krimi i organizuar. Këta nuk janë ‘studentë’. Këtu janë persona, që janë dënuar. Këto janë persona që kanë precedentë kriminalë.
Këto nuk janë studentë. Këta persona nuk kanë lidhje fare me universitetin, por me krimin. Disa nga personat janë të dyshuar për financime nga shteti i Iranit
”, deklaroi Rama.