Gjykata e Posaçme ka vendosur ditën e sotme të lerë në fuqi sekuestrimin e pasurisë së Jani Aliajt, një prej personave të konsideruar si ndër më të rrezikshmit e Gjirokastrës. Aliaj është shpallur në kërkim për vrasjen e Elton Çiços, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok.
Gjykata ka vendosur të lerë në fuqi vendimin për sekuestrimin e pasurisë së Aliajt, si masë parandaluese kundër krimit të organizuar.
Pesë bizneset, tre prej tyre në Gjirokastër, një ullishte dhe një vilë në Borsh i kanë kaluar shtetit. Alia i kishte të regjistruara pasuritë në emër të familjarëve të tij, L. Alia dhe N. Alia.
Në njoftimin zyrtar thuhet se u vendos:
Konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara me vendimin nr.152 datë 30.09.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
1. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 27 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 29.000 (njëzetë e nëntë mijë) Euro;
2. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 38.15 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 41.000 (dyzetë e një mijë) Euro;
3. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 26.4 m2, me adresë “Palorto” Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;
4. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 130 m2, me adresë Lagjia Palorto Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;
5. Objektin në proces legalizimi në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Palorto, Gjirokastër;
6. Pasuria e llojit ullishte, me sipërfaqe 200 m2, në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Borsh, Sarandë;
7. Objektin Vila “Kav…….”, në proces legalizimi në emër të N. Alia etj, me adresë Borsh, Sarandë.
Konfliktet mes dy “të fortëve” të Tepelenës, sollën një sagë vrasjesh e atentatesh, që zanafillën e kishin tek një ngjarje e ndodhur në vitin 2000 në fshatin Zhabakin kur Jani Aliaj vrau me thikë shokun e fëmijërisë së Elton Çiços.