Autori i mitur i vrasjes së 15 vjeçarit në Shkodër është rrëfyer në polici, në prani të psikologut dhe familjarëve të tij. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e ish Fermentimit, kur Emiljano Gjoni ndërroi jetë për shkak të një plage të vetme me thikë, që i ka prekur zemrën.
Ai u dërgua në spital nga një qytetar i rastësishëm, por nuk mundi të mbijetonte për shkak të hemoragjisë së rëndë. Autori bashkëmoshatar Klodian Kolbuçaj, ka thënë se e ka bërë për t’u vetëmbrojtur dhe se thika ishte e viktimës. Ata të dy frekuentonin të njëjtën shkollë, teksa ishin në vitin e parë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.
Policia dyshon se dy të miturit mund të kenë pasur konflikt të mëparshëm duke qenë se ishin në të njëjtën shkollë, konflikt i cili përfundoi më pas me ngjarjen fatale.
“Qëlluam të dy në lagje dhe Emiljano kishte një thikë në dorë. Ai më qëlloi në sup dhe gjatë përplasjes tonë fizike thika i ra në tokë. Unë e mora nga toka thikën që kishte Emiljano më parë dhe për t’u vetëmbrojtur e qëllova me idenë për ta plagosur dhe më pas u largova nga vendngjarja”, është deklarata e dhënë e 15 vjeçarit Klodian Kolbuçi i cili u pyet në praninë e psikologut dhe avokatit për shkak të moshës së tij si i mitur.
Policia në vendngjarje ka gjetur thikën me të cilën ndodhi plagosja e rëndë me pasojë vrasjen duke e sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pas ngjarjes menjëherë mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë ndërsa arritën të bëjnë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, 15 vjeçarit Klodian Kolbuçaj.