Deputeti i PD, Ervin Salianji thotë se ajo që ndodhi në Vlorë, ku djali i anëtares së KLP dhunoi për vrasje ndërtuesin Armando Meshau është një ngjarje e paralajmëruar dhe e përsëritur.
Sipas Salianjit historia duket si një Déjà Vu dhe një ndër arsyet pse shumë shqiptarë po largohen nga vendi.
Në një intervistë për ‘News24’ deputeti i PD tha se në çdo ngjarje kriminale janë të përfshirë funksionarë të lartë të shtetit dhe njerëz që mbledhin vota për PS, pasi ligji për ta nuk ekziston.
“Ligji nuk ekziston për banditët e lidhur me pushtetin. Ngjarja e djeshme është një ngjarje e përsëritur, Deja Vu. Njerëz të lidhur me pushtetin ndërhynë, përcaktojnë se kush do emërohet në administratën publike, cilët janë njerëzit që do jetojnë dhe janë këta që kanë larguar 500 mijë shqiptarë nga vendi.
Çdo ngjarje kriminale janë personazhe që janë funksionarë të lartë të shtetit dhe njerëz që mbledhin vota për PS-së e për ta ligji nuk ekziston. Ka njerëz që pasurohen në kurriz të popullit. Janë ngjarje të cilat janë paralajmëruar, njerëz që jo se shteti s’ka kapacitet, por vullnet vijojnë të kryejnë aktivitetet kriminale. Dhe kur vijnë zgjedhjet elektorale blejnë vota”, u shpreh Salianji.