Në Gjykatën e Posaçme është mbajtur sot gjyqi ndaj Leonard Dukës, i cili akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarja kjo e ndodhur në gusht të 2019-ës, në zonën e Xhamllikut në Tiranë.
Këtë të martë është paraqitur për të dëshmuar Muhamet Duka, babai i të pandehurit, Leonard Duka, i cili mohoi të ketë pasur konflikte me Santiago Malkon dhe të njëjtën gjë thotë edhe për djemtë e tij.
Në gjyq, ai tha se emrin e Malkos e ka dëgjuar në media, por vetë nuk e njihte. Madje asnjëherë nuk ka pasur konflikt as me të, e as me Ervis Martinajn.
Avokatja: A e njihni shtetasin Santiago Malko?
Muhamet Duka: Nuk e njoh dhe nuk kam patur asnjë konflikt. Mesa di unë as djemtë e mi nuk kanë patur konflikt. Në dijeninë time nuk e di nëse kanë patur probleme me Ervis Martinajn, unë nuk e njoh.
Prokurori: Aleksandër Maxhaku e njihni?
Muhamet Duka: Është nipi im, djali i motrës, e thërrasim Leksi, Aleks varet. Kam shumë vite pa e takuar thuajse 6 vjet, nuk e di ku është.
Dritan Again e njoh është nga vendi jonë, një stërmbesa jonë e ka burrë. E kemi deri diku tonin nuk është i huaj. Dritanin e kam parë djemtë e mi si çunat që rrinë. Oltion Lokën e kam parë, e njoh nga lagjja. Ai ka banuar në Shëngjergj. Olti i thërrisnin shkurt, nuk e di me kë rrinte nga çunat. Fatmir Dogja, e kam dëgjuar në televizor. Ilir Selmani e kam dëgjuar në TV por si person nuk e njoh. Blendi Teta, nuk e njoh e kam dëgjuar në media.
Shoqërinë e djemve nuk më ka rënë rasti t’i njoh, unë merresha me tregti me biznesin tim, kam patur një lokal timin te Fresku, punoja unë dhe nusja. Tani jam në pension. Leonardi ka patur punët e veta, me biznesin e tij, me këto lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonte, nuk i jam përzier në punët e tij ata janë të rritur.
Unë jetoj me bashkëshorten, ata jetonin vetëm me njëri-tjetrin. Ata rrinin me qira, nuk kam pas shkuar tek ata, unë rrija në Fresk, ata vinin te ne.
Unë i kam ndihmuar kur kanë qenë të vegjël kur u rritën filluan jetën e tyre. Kanë qenë të qetë, s’më ka trokitur njeri në derë. Nuk di asnjë gjë për shoqërinë e tyre. Në asnjë mënyrë nuk më ka ndaluar njeri në rrugë. Kam vetëm 2 djem, nuk di ndonjë rast që ata të jenë plagosur. Asnjëherë në jetë nuk ka ndodhur që të më ketë thënë dikush gjysmë llafi. As më ka goditur njeri, asnjëherë.
Prokurori: Jeni në dijeni të një pajtimi mes disa djemve me mbiemër Mumajesi?
Muhamet Duka: E kam dëgjuar si mbiemër, Revelino Mumajesi e kam parë si çun lagjje. Unë e di që djali paguante tatimet në shtet, ishte i rregullt. E kam takuar shumë rrallë. Ervis Martinajn e kam dëgjuar, as e njoh as e kam parë asnjëherë, në media e kam dëgjuar. Edhe emrin e Santiago Malkos e kam dëgjuar në media.
Kujtojmë se Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023 dhe më pas u ekstradua drejt vendit tonë.
Ndërkohë në kërkim janë Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu.
Sa i takon kësaj ngjarje kriminale, Ilir Selmani u dënua me 25 vite burg, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.