Vrasja e policit të FNSH ngel pa autor, gjykata shpall të pafajshëm Redion Hysën. Dënohet me 3.6 vite burgim Sherrniku si përkrahës i autorit

Elton Qyno

Gjykata e Lezhës ka liruar nga burgu Redion Hysën, personin e akuzuar nga prokuroria për vrasjen e ish-efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prela.

Fillimisht për këtë vrasje është hetuar si i dyshuar Briland Martinaj, por pas gjetjes së armës të krimit një pistoletë “TT”, prokuroria përqëndroi akuzën tek Redion Hysa.

Por sot, treshja e gjyqtarëve Eva Hysko, Olti Skrame dhe Alda Sadiku, kanë shpallur të pafajshëm Redion Hysën, për të cilin prokurori i Lezhës, Erjon Shehaj, kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e tij me 20 vjet heqje lirie.

Sot kjo kërkesë e prokurorisë nuk është pranuar, duke e zhveshur totalisht nga tre akuzat Redion Hysën. Ai akuzohej për “Vrasje me dashje”, “Kanosje me armë”, “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municionit” dhe “Prishje të qetësisë publike”.

Për të gjitha akuzat Hysa është deklaruar i pafajshëm nga gjykata, megjithëse një armë automatike dhe një pistoletë “TT”, është gjendur në depozitën e ujit të banesës së tij.

Ndërkohë për të pandehurin tjetër në këtë process gjyqësor, Nikoll Sherrniku, i akuzuar për “Përkrahje të autorit të krimit”, gjykata ka vendosur dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim.

Sipas dosjes hetimore njëra nga dy armët, pistoleta “TT” e gjetur në depozitën e ujit që ndodhej mbi tarracën e shtëpisë së Hysës, ka rezultuar se ishte përdorur në ngjarjen e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH-së, Xhuliano Prela.

Ekspertiza balistike, ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit, ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend i cili u gjend i pajetë, efektivi i policisë.

Madje ekspertët, shtojnë se edhe predha, që i ka marrë jetën punonjësit të policisë, është qitur pikërisht nga arma e gjendur në banesën e Redion Hysës. Sipas hetimit të kryer dhe dëshmisë së punonjësve të karburantit ku ka ndodhur vrasja e Xhuliano Prelës, mesnatën e krimit rreth orës 02:00, kanë qenë dy makina njëra fuoristradë dhe tjetra tip “Golf 3”, e përshtatur për gjueti.

Makina tip “Golf 3” që rroja i karburantit ka treguar qysh në 5 dhjetor në polici, aktualisht është e bllokuar dhe i përket pikërisht, Redion Hysës.

Ndërsa vetëm 23 ditë pas vrasjes së punonjësit të policisë Xhuliano Prela, pikërisht në karburantin ku dhe ka ndodhur ngjarja, është regjistruar në mesnatë një ngjarje e dytë, duke u mitrajluar me 28 plumba kallashnikovi kamioni tip “Man” dhe fasada e karburantit.

Arma automatike, me të cilën është qëlluar në këtë ngjarje ju gjend në depozitën e ujit, pikërisht Redion Hysës. Hysa në këtë ngjarje ka qenë së bashku me kushëririn e tij, Sokol Hysa.

Qëllimi i tyre ka qenë për të kanosur punonjësin e karburantit që ka dëshmuar se mesnatën kur u vra polici Xhuliano Prela, kanë qenë dy makina dhe jo një makinë e vetme.