Vrasja e biznesmenit Edmond Papa, Gjykata dënon me 55 vite burg dy autorët

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 55 vite burg në total autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në Tiranë.

Gjykata ka dënuar me 30 vite burg Andrew Boden për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, “mbajtje pa leje te armëve”. Ndërkohë për bashkëpunëtorin e tij, Alban Velo, Gjykata dha dënimin me 25 vite burg për  “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Bode dhe Velo do të kryejnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqesin.

Vrasja e biznesmenit Edmond Papa u regjistrua në 16 dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai u qëllua me 9 plumba, që do t’i merrnin jetën.  

Viktima, pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. 

Edmond Papa dyshohet se u ekzekutua në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt gjatë një atentati me minë te telekomanduar, në qershor të vitit 2022.