Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 64 vjeçarit Gjovalin Prendi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Pllanë të Lezhës. Deri tani janë shoqëruar 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për atentatin që i mori jetën 64 vjeçarit.
Dyshohet se në krim kanë marrë pjesë 4 persona, të cilët kanë lëvizur me një automjeti tip ‘Porsche’. Dy prej tyre të maskuar kanë dalë nga makina ndërsa njëri ka qëlluar me breshëri plumbash në distancë të afërt. Viktima ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me një person tjetër kur ai është qëlluar me breshëri plumbash që do t’i merrnin jetën.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, pasi djali i viktimës Roan Brahimi, i cili u vra në maj të vitit 2024 në Greqi, është përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Emri i Roan Brahimit ishte i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihej si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohej si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.
Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 Korrik 2022.
Roan Brahimi dyshohej se ishte i përfshirë edhe në vrasjen e ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje që ndodhi disa muaj para se Roan Brahimi të ekzekutohet në kryeqytetin grek.