Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje nga posti më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt – rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra, bëri të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi.
Në vend të tij, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë u caktua Fehmi Hoti, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, thuhet në njoftim.
Qeveria nuk dha arsye për dorëheqjen e Hoxhës, ndërsa ai nuk iu përgjigjur thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për të marrë një koment deri në publikimin e këtij lajmi.
Largimi i Hoxhës vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.
Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e këtij rasti.
Në mesin e të pezulluarve janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë dhe katër hetues.
Masa u ndërmorën edhe në sistemin prokurorial. Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri, u pezulluan nga detyra.
Vrasja e Zekajt nxiti protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që e kanë trajtuar rastin.