Berisha përjashtohet me 10 ditë nga Kuvendi, 5 deputetë të tjerë me dy muaj

Sekretariati i Etikës ka përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, kreun e PD, Sali Berisha.

Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, sekretariati ka përjashtuar edhe Bledion Nallbatin, Ivi Kason, Blendi Himçin, Xhelal Mziun, Albana Vokshin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit.

Ndërkohë sekretariati ka falur deputeten Klodiana Çapja duke mos e përjashtuar me 60 ditë siç ishte kërkuar nga PS.

Sipas kërkesës, deputetët e opozitës penguan zhvillimin normal të punimeve parlamentare përmes bllokimit të foltores, zhurmës dhe veprimeve të tjera gjatë seancës.

Sipas kërkesës, gjatë fjalës së tij në Kuvend, Sali Berisha ka përdorur gjuhë joparlamentare dhe nxitëse të dhunës, pasi kryedemokrati u shpreh se plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës që përdoren gjatë protestave duhet t’u hidhen deputetëve të Partisë Socialiste.

Deputetët e tjerë akuzohen për përdorimin e mjeteve piroteknike dhe hedhjen e sendeve të forta.