Vrasja e 81 vjeçarit nga fqinji, djali i viktimës: Autorin e kishim mik, e dinte që babai kishte para

Djali i 81 vjeçarit Xhemal Meta, i cili u qëllua për vdekje me çekiç nga fqinji i tij, Isuf Hasa, ka treguar se babai i tij dhe autori, tashmë i arrestuar takoheshin çdo ditë.

Djali i viktimës ka thënë se Hasa e dinte që babai i tij kishte lekë ndërsa shton se dyshuan te ai pasi nuk shkoi në varrim, pavarësisht se ata ishin miq me njëri tjetrin.

Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur” në News 24, ai ka thënë se familjarët e autorit nuk e kanë kontaktuar.

“Autori e dinte që babai kishte para, takoheshin çdo ditë të dy. Isuf Hasa i ka marrë mbi 200 mijë lekë, e kishim mik.

Ai nuk mori pjesë në ceremoninë mortore. Dyshuam tek ai, kur nuk erdhi në mort u habitëm. Familjarët e autorit nuk kanë kontaktuar me ne”, tha djali i viktimës.

Kujtojmë se në njoftim zyrtar, Policia e Shtetit, informoi se “Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimen i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.

Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj”.