Vrasja e 81-vjeçarit në Tiranë/ Policia zbardh krimin: U vra nga fqinji, e goditi me çekiç pas koke

Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e krimit në në fshatin Shengjin i Vogël ku humbi jetën 81-vjeçari Xhemal Meta. Autoritetet theksuan se kanë arrestuar një 64-vjeçar, si autor i dyshuar i krimit.

Kreu i Policisë së Tiranës, Elton Alushi në një konferencë për mediat pohoi se autori i dyshuar është Isuf Hasa.

Ai pohoi se autori ka shkuar në banesën e të moshuarit dhe e ka goditur me çekiç për motive të dobëta në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen.

“Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar. Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj”, theksoi policia.

Drejtuesi i Policisë së Tiranë pohoi para mediave se çekiçi me të cilin autori i dyshuar ka goditur të moshuarin është gjetur në banesën e vajzës së tij, në Vorë.

“Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e vajzsë e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .

Ai theksoi se autori ka pranuar autorësinë e krimit.

“Po, është në pozita pohuese. Ka pranuar krimin e kryer”, tha kreu i policisë Tiranë.