Janë lënë në paraburgim dy vëllezërit shqiptarë që akuzohen për vrasjen e kushëririt të tyre, 28-vjeçarit Denis Loka më 7 tetor në Greqi.
Enis Loka dhe Aleksandër Loka kanë deklaruar se kushëriri i tyre kishte abuzuar seksualisht me ta kur jetonin ende në Shqipëri.
Ata kanë dëshmuar se ishin të vegjël kur Denis Loka i përdhunoi dhe, në momentin që u zhvendosën në Greqi, u përpoqën ta harronin. Megjithatë, ditët e fundit 28-vjeçari kishte mbërritur edhe në Greqi.
Kur e panë, sipas dëshmisë, iu janë “zgjuar” kujtimet e këqija ndaj vendosën ta vrisnin. 17-vjeçari ka rrëfyer se ka qenë ai që ka mundur ta godasë me thikë direkt poshtë qafës kushëririn e tij. Ky i fundit eci zvarrë në rrugën e Patisionit duke kërkuar ndihmë.
Ai është pikasur nga një veturë e policisë rrugore që po kalonte aty dhe polici thirri një ambulancë. 28-vjeçari u dërgua në spitalin Evangelismos, por nuk arriti që të mbijetonte duke humbur jetën.
Pothuajse një orë më vonë dy vëllezërit, së bashku me nënën e tyre, shkuan në stacionin policor të Kypselit dhe pranuan aktin e tyre.