Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka thënë sot se janë mbi 154 mijë votues jashtë vendit që kanë marrë fletën e votimit në zgjedhjet e 11 Majit. Në një konferencë për mediat, Celibashi tha se deri më tani 62% e zgjedhësve të regjistruar kanë marrë në dorë zarfin ku ndodhen materialet zgjedhore, ndërsa shtoi se janë kthyer në KQZ 12.5% e fletëve të votimit.
“154 mijë votues qe e kanë marrë fletën e votimit. Fakti që një numër i madh zgjedhësish e kanë fletën e votimit është optimiste me ne. Procesi i dorëzimit është bërë në protokoll. Kanë mbërritur në KQZ deri më tani dhe janë përpunuar 19 mijë e 25 deri në momentin që ne flasim, ndërsa deri në fund të ditës do të jenë rreth 22 mijë fletë votimi që janë kthyer mbrapsht, pra 12.5% të fletëve të votimit që janë dorëzuar. Vazhdon procesi i administrimit të këtyre fletëve të votimit”,-tha Celibashi.
Kujtojmë se 245 935 qytetarë jashtë vendit kanë të drejtë për të votuar në këto zgjedhje. Italia, Greqia, Gjermania, SHBA-së dhe Britania janë 5 shtetet me regjistrimet më të larta.