Nëse keni planifikuar të udhëtoni nga Aeroporti i Rinasit ditën e sotme dhe të nesërme, përgatituni të keni vonesa dhe anulime fluturimesh. Lajmin e ka bërë të ditur ditën e djeshme Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili ka njoftuar se do të ketë probleme me oraret e fluturimeve pasi do të zhvillohet “Air Defender 23”.
Sipas autoritetit në fjalë kjo është stërvitja më e madhe në historinë e NATO-s, që përfshin 25 shtete, mbi 10 000 trupa dhe 220 avionë.
“Eurocontrol (NM), Autoritetet e Aviacionit Civil (ACAA), Siguruesit e Shërbimit të Navigimit Ajror (Albcontrol) dhe Aeroportet (TIA), po punojnë intensivisht për minimizimin e këtij impakti” thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil postuar në rrjete sociale.
Kjo është stërvitja më e madhe e këtij lloji që nga krijimi i aleancës ushtarake në vitin 1949 dhe Gjermania do të shërbejë si vend pritës dhe qendër logjistike.
Nga data 12 deri më 23 qershor, 250 avionë do të vendosen në gjashtë baza ushtarake, ku do të marrin pjesë 25 vende. Vetëm SHBA dërgon 100 avionë përtej Atlantikut. Në ajër, pjesëmarrësit do të stërviten në situata krize në tre zona fluturimi: mbi Gjermaninë veriore në Detin e Veriut, në lindje dhe në një brez të vogël të Gjermanisë jugore. Këto zona do të mbyllen në mënyrë alternative për avionët civilë çdo ditë për disa orë.