Vlorë/ Sekuestrohen 16 milionë euro pasuri te “Uji i Ftohtë”, shteti merr në pronësi 9 prona të përfituara me dokumente të falsifikuara

Nëntë pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë kanë kaluar në pronësi të shtetit, pas një procesi hetimor dhe vendimi gjyqësor për konfiskimin e tyre.

Sipas Prokurorisë së Vlorës, pronat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Ato lidhen me shtetasin me inicialet P.P., i cili është dënuar me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Nga hetimet për procedimin penal nr. 946/2015 ka rezultuar se për njohjen dhe kthimin e një sipërfaqeje toke prej 32 mijë metrash katrorë ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.

Pasi prona u regjistrua në vitin 2009, ajo iu nënshtrua një sërë transaksionesh juridike. Sipërfaqja u nda në disa prona, të cilat më pas u tjetërsuan dhe u regjistruan në emër të personave të tjerë, në një skemë që, sipas hetimit, synonte të fshihte origjinën e paligjshme të pasurisë.

Me kërkesë të Prokurorisë dhe në bazë të vendimit të gjykatës, në pronësi të shtetit kanë kaluar gjithsej nëntë pasuri të paluajtshme, përfshirë pronën fillestare dhe sipërfaqet e krijuara nga ndarja e saj.

Mes pronave të konfiskuara janë dy sipërfaqe prej 23.363 dhe 7.932 metrash katrorë, si dhe disa të tjera me përmasa 1.000, 1.126 dhe 7.637 metra katrorë.

Vlera e përgjithshme e pasurive që tashmë i kalojnë shtetit përllogaritet në rreth 16 milionë euro.

Njoftimi:

Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri të paluajtshme tek ‘Uji i Ftohtë’, të përfituar me dokumente të falsifikuara

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit 16 milionë euro pasuri të paluajtshme të shtetasit P.P., i akuzuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 187/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procesimin penal nr.946/2015, rezultoi se në proceset gjyqësore dhe procedurat administrative për njohjen dhe kthimin e një pasurie 32.000m2 në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’, Vlorë u përdor një vendim gjyqësor i falsifikuar. Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se pas përfitimit dhe regjistrimit të kësaj pasurie, janë kryer veprime juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të saj.

Në përfundim të hetimeve shtetasi P.P. u dënua me 7 vite burgim dhe me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë dhe vendimin e gjykatës, u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:

– Pasuri e paluajtshme me sipërfaqe 32.000 m2 e regjistruar në vitin 2009 në favor të shtetasve K.Sh., M.Sh. dhe R.Sh. si dhe të gjitha pasurive që rrjedhin dhe derivojnë prej kësaj pasurie, konkretisht:

– Pasuria e paluajtshme nr.431;
– Pasuria e paluajtshme nr.404;
– Pasuria e paluajtshme nr.311;
– Pasuria e paluajtshme nr.312;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263 me sipërfaqe 23.363m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.264 me sipërfaqe 1000 m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.361 me sipërfaqe 7932 m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263/1 me sipërfaqe 1126.13 m2; dhe
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.108 me sipërfaqe 7637 m2