Tentoi t’i merrte 1 milion euro biznesmenit duke u hequr si Edi Rama, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë

Një skemë e dyshuar mashtrimi, ku një i ri përdorte identitetin e kryeministrit Edi Rama për të përfituar shuma të mëdha parash, është zbuluar nga Policia e Tiranës. Në pranga ka rënë 25-vjeçari Albi Muça, i cili dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një biznesmeni 54-vjeçar.

Sipas të dhënave paraprake, i riu kishte kontaktuar me një ndërtues përmes aplikacionit të komunikimit Signal, ku ishte prezantuar si kryeministri Rama. Duke shfrytëzuar këtë identitet të rremë, ai i kishte kërkuar biznesmenit shumën prej 1 milion eurosh, ndërsa i kishte komunikuar se paratë do të tërhiqeshin nga një person i tretë, të cilin do ta dërgonte posaçërisht për këtë qëllim.

Por biznesmeni ka dyshuar për një tentativë mashtrimi dhe ka vendosur t’u drejtohet autoriteteve policore, duke bërë denoncimin përkatës.

Pas hetimeve dhe përdorimit të metodave speciale, policia organizoi operacionin e koduar “Request”. Ndërhyrja u krye në momentin kur 25-vjeçari po tentonte të merrte shumën e kërkuar, duke bërë të mundur arrestimin e tij.

Operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.

Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rastin, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë pjesë e kësaj skeme apo të kenë kryer mashtrime të ngjashme.