Vlonjati nuk pranon divorcin nga gruaja, i djeg lokalin në Nartë, flakët përpijnë edhe 3 garazhet ngjitur

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 50 vjecar, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin lokalit të gruas së tij, me të cilën ishte në proces divorci.

Sipas burimeve nga Policia, nga përhapja e flakëve u dogjën edhe 3 garazhe qe ishin ngjitur me lokalin, në pronësi të shtetasit Ll. M., ku ai mbante 1 automjet, 3 motora, arka plastike dhe produkte ushqimore.

Ngjarja e cila u raportua ditën e djeshme si aksidentale, u zbardh nga policia duke vënë në pranga 50 vjecarin J.X.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Flames 2”.

Zbardhet dhe dokumentohet djegia e qëllimshme e një objekti në fshatin Nartë, ngjarje e cila fillimisht u raportua si aksidentale.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 50-vjeçari që dyshohet se ndezi zjarrin në lokalin e bashkëshortes së tij, i cili më pas u përhap në 3 garazhe ngjitur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për zbardhjen e rrethanave të djegies së një objekti, mesditën e djeshme, në fshatin Nartë, ngjarje e cila fillimisht u raportua aksidentale, bazuar në provat e administruara dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Flames 2”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. X., 50 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 50-vjeçari, për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin lokalit që administron bashkëshortja e tij, shtetasja B. X., me të cilën është në proces divorci. Nga përhapja e flakëve u dogjën edhe 3 garazhe të shtetasit Ll. M., ku ai mbante 1 automjet, 3 motora, arka plastike dhe produkte ushqimore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.