Vjosa Osmani: Shqipëria, zëri ynë aty ku ne nuk kemi përfaqësim! Kemi një lidhje unike, qëndrojmë të bashkuar përballë sfidave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për mediat pas takimit me homologun Bajram Begaj, është shprehur se Kosopva ka nevojë për Shqipërinë që të jetë zëri i saj aty ku ajo nuk ka përfaqësim.

Siç kemi pasur nevojë edhe më parë, sërish kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, që të jetë zëri ynë, në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim. Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare ku kemi interes shtetëror. Dua të falenderoj presidentin Begaj për angazhimin e tij të pashoqë, duke kërkuar me zë të fuqishëm që Kosova të ketë vendin e merituar në çdo organizim ndërkombëtar”, u shpreh Osmani.

Presidentja tha se dy vendet kanë një lidhje unike dhe qëndrojnë të bashkuara përballë sfidave që u dalin përpara.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike, historike, kulturore dhe kombëtare që e bën bashkëpunimin tonë dhe lidhjet tona të forta dhe të pathyeshme. Përballë sfidave, ne qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në një qëllim, stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin euroatlantik të vendeve tona”, tha ajo.