Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen po mban sot një vizitë në Kosovë, në kuadër të një turi që po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyen ka takuar Presidenten Vjosa Osmani dhe do të takohet më vonë edhe me Kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit me Osmanin ato mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidentja e Kosovës, tha se BE duhet t’ia njohë arritjet Kosovës dhe se duhet t’I heqë masat ndëshkimore që i janë vënë.
Osmani ka theksuar se Kosova është pro fqinjësisë së mirë e se Serbia duhet të mbajë përgjegjësinë e vet për aktin terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar.
“Është fat i keq për sigurinë e rajonit që në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë, e ajo është Serbia. Është koha e fundit që vendosmëria që BE ka treguar ndaj Rusisë, të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo është me rëndësi sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për aktiv e agresionit ndaj Kosovës të kryer përmes forcave paramilitare terroriste në shtator gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur për qëllim të destabilizojë jo vetëm Kosovën por tërë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidentja .
Osmani ka deklaruar se është koha që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës, duke shtuar se ato kanë dëmtuar edhe procesin e dialogun.
“Sot kemi nevojë që BE-ja t’i vlerësojë dhe njohë këto arritje. Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet. Heqja e masave është reflektim i nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, por do ishte edhe përgjigje ndaj plotësimit të parakushteve që vetë BE-ja i kishte vënë në raport me Kosovën sa i përket këtyre masave”.