Viti i ri shkollor/ Mbyllen lokalet dhe pikat ambulante që tregtojnë alkool, kontroll nxënësve te dera e shkollës

Rasti tragjik i vrasjes së Martin Canit, nxënës i shkollës 9 vjeçare nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj ka nxitur autoritetet që të shtrëngojnë masat teksa të hënën nis viti i ri shkollor.

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave që do të zbatohen që nga 8 shtatori, ku çdo nxënës që dyshohet se ka me vete sende të jashtëligjshme do të kontrollohet në hyrje të shkollës nga roja i institucionit, oficerët e sigurisë, në prani të mësuesve dhe në mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë.

“Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik dhe me oficerët e sigurisë në shkolla, për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme dhe mbi bazën e tyre, zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës dhe oficerët e sigurisë, në prani të mësuesve dhe në mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë”.

Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe mbyllja e lokaleve dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë shërbejnë dhe si pika të grumbullimit të shtetasve me precedent kriminal.

“Në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, AKU-në dhe pushtetin vendor, do të punohet për mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë shërbejnë dhe si pika të grumbullimit të shtetasve me precedent kriminal, përdoruesve të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, si dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës dhe nxënësve të shkollave”.