Hetimet e SPAK zbuluan një tjetër vilë të ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, të cilën ajo e kishte fshehur.
Vila në “Green Coast” në Palasë ishte nën emrin e ish-futbollistit të kombëtares, Ilgi Tare, por rezulton se është në pronësi të ish-numrit 2 të qeverisë.
Ndërkohë SPAK disponin emaile mes Ballukut dhe arkitektit Alban Eftimi, teksa ky i fundit i tregon detajet e arredimit luksoz të ambienteve të vilës.
Një prej emaileve mban datën 14 shtator 2020 ku Eftimi i shkruan Ballukut se si kanë ecur ndërhyrjet.
“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum “infinity pool”. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë.
Në 2 krahët anësore të shtëpive në nivelin e hyrjes dhe suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini).
Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek “master bedroom” janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me “teak” për një “feeling” pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë dhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”, thuhet në email.
4 ditë më vonë, Eftimi dërgon në adresën e Ballukut një dokument me emërtimin “Vilat binjake Palasë”. Dokumenti përbëhet nga 11 fletë, ku në fletën e parë gjendet shënimi “Vilat binjake Palasë”, ndërsa në fletët e tjera gjenden planimetri dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave.