Vidhnin makina në Maqedoni dhe i shisnin për pjesë në Shqipëri, arrestohen 4 persona në Pogradec

Katër persona janë arrestuar në Pogradec pasi oficerët e hetimit të trafiqeve në bashkëpunim me komisariatin e këtij qyteti, zbuluan se ata vidhnin makina në Maqedoninë e Veriut.

Të arrestuarit janë  Aleksandër Rira, 21 vjeç, banues në fshatin Rrajcë, Librazhd; Adem Ademi, 44 vjeç, banues në Strugë, Maqedoni e Veriut; Luis Durbaku, 19 vjeç dhe Marjo Hidri, 23 vjeç, banues në fshatin Radokal, Pogradec.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata , vidhnin mjete motorike në Maqedoninë e Veriut, i dislokonin ato në zonën e Strugës dhe më pas nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e fshatrave Rrajcë-Sutaj, i kalonin në territorin shqiptar dhe i çmontonin në qytetet e Elbasanit ose Tiranës, me qëllim shitjen e tyre si pjesë këmbimi.

Në datën 22.07.2023, këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar nga Maqedonia e Veriut, një automjet tip “Benz”, drejtuesi i të cilit shtetasi Aleksandër Rira,  sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga forcat e Policisë, ka tentuar të largohet dhe ka braktisur automjetin në afërsi të fshatit Radokal, Pogradec.

Policia thotë se dyshohet që të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë në këtë trafik.