VIDEO/Taulant Balla, i fundmi i besnikëve të kryetarit dhe një histori e PS

Diku rreth vitit 2002- 2003, në grupin e njerëzve që shoqëronin Fatos Nanon në aktivitete politike, shfaqej një djalë i ri që mbante gjithmonë një dosje në dorë.  Shumë prej gazetarëve dhe politikaneve ndoshta nuk ia dinin as emrin por kishte prej tyre që e quanin “djali që mban dosjen a çantën e kryeministrit”….

Askujt nuk mund t’i shkonte në mendje se ai djalë i ri i sapokthyer nga Rumania ku kishte studiuar, do të shfaqej së afërmi me ambicie të ethshme politike. Dhe koha do t’i vinte shumë shpejt. Në zgjedhjet e vitit 2005, Taulant Balla do të ishte kandidat për deputet i PS-së dhe më pas deputet i zgjedhur i kësaj partie.

Balla do të gjendej shpejt në sprovën e besnikërisë ndaj kryetarit kur Edi Rama do të shfaqej si sfidant për kryetar të Partisë Socialiste. Vjeshtën e vitit 2005, Fatos Nano kishte dhënë dorëheqjen por nuk dukej se kandidatura e bërë publike e Edi Ramës, ishte më e përshtatshmja për pasardhësin që do t’i zinte karrigën e kryetarit të partisë më të madhe politike në vend.

 Një grup i konsiderueshëm i drejtuesve të Partisë Socialiste u pozicionuan në mbështetje të ish-kryetarit dhe preferencave të tij për pasardhës në krye të PS. Pra me pak fjalë, kundër Edi Ramës që kishte shtruar tashmë rrugën e tij drejt kryesimit të PS-së. Mëngjesi i datës 9 tetor 2005, kur Edi Rama u shpall kryetar i Partisë Socialiste, e gjeti Taulant Ballën në krahun e “gabuar” të historisë, pra në grupin e kundërshtarëve të kryetarit të sapozgjedhur Edi Rama. Konsiderohej ende besnik i Fatos Nanos.

Por shpejt, Taulant Balla do të rreshtohej në krahun “e duhur” të historisë, duke lënë pas gjithë “përuljen” ndaj ish-kryetarit Fatos Nano. Do të konsiderohej një ndër besnikët e palëkundur të Edi Ramës.  Taulant Balla ngjiti me shpejtësi shkallët e karrierës në Partinë Socialiste të Edi Ramës, e cila po ndryshonte me shpejtësi, për t’u kthyer në një parti pa asnjë lidhje me atë tradicionalen, të drejtuar nga Fatos Nano.  Historia e PS-së  është e ndarë në dy kohë, të Fatos Nanos dhe atë të Edi Ramës. Taulanti i kohës së parë mbahet mend shumë pak por i kohës së dytë, PS-së së Edi Ramës, është protagonist dhe sot i emëruar ministër i Brendshëm, një post prej të cilit askush nuk ia ka dalë të largohet pa “telashe”.

Ndiqni videon, një histori e PS-së ku gjendet rruga politike e Taulantit dhe shumë prej protagonistëve prej fillimeve deri sot.