Pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet e Evropës Perëndimore ndërtuan sisteme bujare të mirëqenies sociale për disa arsye mjaft të forta. Vitet e paraluftës kishin treguar se punëtorët e varfëruar nga katastrofat ekonomike mund të radikalizoheshin nga fashistët dhe komunistët. Stabiliteti politik kërkonte një shtet që t’i mbronte qytetarët nga luhatjet e ciklit ekonomik. Kështu, Evropa ndërtoi një sistem të mirëqenies sociale që i shoqëronte qytetarët «nga djepi deri në varr»: shteti do të siguronte pensionet, përfitimet për personat me aftësi të kufizuara dhe të papunët, kujdesin shëndetësor dhe arsimin. Të gjitha këto financoheshin nga rritja e shpejtë ekonomike dhe demografike e pasluftës.
Për disa dekada të arta, ekonomitë evropiane lulëzuan, popullsia u rrit dhe qytetarët u pasuruan, duke u lidhur gjithnjë e më shumë me përfitimet bujare që u ofronte shteti. Për sa kohë që çdo person në varësi të sistemit mbështetej nga taksat e paguara prej katër, gjashtë apo edhe tetë punonjësve, këto përfitime ishin të qëndrueshme. Në Francë, Gjermani dhe Itali, industria e automobilave u bë një nga shtyllat ekonomike të financimit të shtetit social. Kërkesa gjithnjë në rritje e konsumatorëve për automjete nxiti investimet, krijoi vende të reja pune dhe rriti të ardhurat tatimore. Fiat, Volkswagen dhe Renault u bënë pjesë integrale e shteteve sociale në lulëzim.
Edhe pas goditjeve të naftës të viteve 1970 dhe ngadalësimit gradual të ekonomive kombëtare, rritjes së popullsisë dhe inovacionit industrial, shtetet evropiane vazhduan të zgjerojnë përfitimet sociale. Në prag të mijëvjeçarit të ri, shumë evropianë besonin se kishin arritur ekuilibrin e përsosur midis mirëqenies sociale dhe kapitalizmit të nevojshëm për ta financuar atë. Amerika mund të kryesonte botën në teknologjitë inovative, por punëtorët e saj nuk kishin qasje të mjaftueshme në kujdesin shëndetësor, pushime të denja dhe sindikata të forta. Mendimtarë të shquar si Tony Judt, Francis Fukuyama dhe Mark Leonard e paraqitën socialdemokracinë evropiane si pikën e natyrshme të mbërritjes së zhvillimit politik. Ky besim u leverdiste edhe politikanëve evropianë, të cilët u ofronin përfitime të reja zgjedhësve mirënjohës. Sipas këtij këndvështrimi, ata nuk po blinin vota, por po përmbushnin një mision më të lartë: përsosjen e demokracisë liberale.
Megjithatë, sot shohim se ndërtesa madhështore e socialdemokracisë evropiane po shembet në themelet e saj fiskale. Detyrimet aktuale për pensionet dhe kujdesin shëndetësor kanë tejkaluar bazën tatimore të nevojshme për t’i përballuar ato. Rënia e lindshmërisë do të thotë se në të ardhmen nuk do të ketë mjaftueshëm punonjës për të mbështetur pensionistët. Sipas Eurostat-it, norma e lindshmërisë në BE ra në nivelin rekord të ulët prej 1,34 lindjesh për grua në vitin 2024, kundrejt nivelit 2,1 që nevojitet për të ruajtur popullsinë në një nivel të qëndrueshëm.
As emigrantët nuk përbëjnë zgjidhjen: sipas argumentit të autorit, ata përfaqësojnë një barrë neto për financat publike, pasi kërkojnë strehim, arsim dhe mbështetje financiare, me sa duket për një kohë të pacaktuar. Statistikat suedeze, sipas tekstit, tregojnë se emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut mbeten përfitues neto të shpenzimeve shtetërore gjatë gjithë jetës së tyre aktive. Ata vazhdojnë të jenë përfitues dhe jo kontribuues, ndërsa kanë sjellë, sipas autorit, një sërë prirjesh kulturore përçarëse dhe të dëmshme në shoqëritë evropiane, të mësuara me nivele të larta besimi shoqëror dhe kohezioni.
Punonjësit vendas punojnë më pak orë dhe dalin në pension më herët se amerikanët, shpesh duke përfituar pagesa bujare për paaftësi. Rritja e të ardhurave publike nga një popullsi e caktuar kërkon orë më të gjata pune dhe produktivitet më të lartë. Megjithatë, Evropa vazhdon të ngecë si në rritjen e produktivitetit, ashtu edhe në inovacionin që mund të hapte rrugën drejt sektorëve të rinj industrialë. Mbrojtja e fortë e vendeve të punës e vështirëson largimin nga puna të punonjësve me performancë të dobët, ndërsa rregullat e ndërlikuara të punës pengojnë zbatimin e praktikave më efikase industriale dhe përdorimin e teknologjive që kursejnë fuqinë punëtore.
Situata në Francë është kritike. Franca, kontribuuesja e dytë më e madhe neto në buxhetin e BE-së, nuk është në gjendje të financojë shtetin që ka ndërtuar. Qeveria parashikon që deficiti buxhetor të arrijë në 5,4 për qind të PBB-së këtë vit, ndërsa Ministria e Financave pret që borxhi publik të arrijë në 119,3 për qind të PBB-së në vitin 2026 dhe në një rekord prej 121,7 për qind në vitin 2027.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili erdhi në pushtet duke premtuar kufizimin e shpenzimeve dhe rigjallërimin e ekonomisë franceze, ka dështuar rëndë. Ai hoqi dorë nga propozimet për rritjen e taksave mbi karburantet pas protestave të jelekëve të verdhë (gilets jaunes). Plani i tij për rritjen e moshës së pensionit shkaktoi demonstrata masive, më pas u pezullua dhe ka të ngjarë të anulohet pas zgjedhjeve presidenciale të prillit 2027. Macron nuk ka arritur të realizojë rilindjen që premtonte partia e tij, Rilindja (Renaissance): gjendja financiare e Francës është më e keqe se kur ai mori detyrën në vitin 2017.
Megjithatë, faji nuk bie tërësisht mbi Macronin. Votuesit francezë janë mësuar të presin më shumë përfitime nga sa janë të gatshëm të paguajnë dhe presin që shteti ta krijojë, si me magji, diferencën e nevojshme financiare.
Macron është mishërimi i përsosur i elitës së teknokratëve që drejtojnë Francën. Megjithatë, asnjë nga këta të diplomuar të shkollës elitare ENA (École nationale d’administration) nuk ka arritur, gjatë më shumë se 30 viteve, t’i përballë qytetarët me realitetin fiskal dhe të balancojë buxhetin kombëtar. Nëse një valë shitjesh masive të obligacioneve franceze do ta detyronte Francën të binte në krahët aspak të përzemërt të Bankës Qendrore Evropiane, qytetarët e saj do të përballeshin me një program të ashpër shtrëngimi fiskal.
Duke pasur parasysh përmasat e shpenzimeve shtetërore, që arrijnë në 57 për qind të PBB-së, shkurtimet e programeve publike do të ulnin menjëherë dhe ndjeshëm të ardhurat kombëtare. Marine Le Pen do të ishte e gatshme të udhëhiqte një reagim populist kundër elitave pariziene, Bankës Qendrore Evropiane dhe BE-së. Rikthimi i fondeve nga Brukseli nën kontrollin kombëtar është shumë më i lehtë sesa t’u hiqen përfitimet qytetarëve francezë.
Pas vitesh prosperiteti relativisht të rehatshëm, edhe Gjermania po përballet me një të ardhme të zymtë financiare. Gjatë gjithë periudhës së pasluftës, industria gjermane ishte pata që bënte vezët e arta për Evropën. Ajo fitoi një hov të dytë pas mrekullisë fillestare ekonomike të Gjermanisë Perëndimore (Wirtschaftswunder), duke hapur tregje fitimprurëse eksporti, të cilat financuan përfitimet sociale kombëtare dhe zgjerimin e projektit evropian.
Kina i dha një shtysë të mëtejshme kësaj rritjeje, falë kërkesës që dukej e pangopur për automjete dhe pajisje industriale gjermane. Tani Gjermania po zbulon se i ka mësuar Kinës gjithçka që i nevojitet për të përmbushur vetë kërkesën e saj dhe se po përballet me konkurrencën e importeve kineze të lira e konkurruese edhe në tregun e brendshëm. Sipas Eurostat-it, deficiti tregtar i BE-së me Kinën arriti në 359,8 miliardë euro në vitin 2025, pothuajse një miliard euro në ditë. Megjithatë, BE-ja ende nuk ka arritur një marrëveshje midis 27 shteteve anëtare për mënyrën se si duhet përballuar «goditja kineze».
Tkurrja e tregjeve të eksportit dhe përhapja e neomerkantilizmit në mbarë botën tregojnë se Gjermania nuk është më në gjendje të financojë projektin evropian si dikur. Thirrjet e kancelarit gjerman Friedrich Merz për shkurtime të mëdha në buxhetin e propozuar të BE-së, të përsëritura në mbledhjen e Këshillit Evropian të 15–16 tetorit, dëshmojnë se ai ka nevojë për këto para brenda vendit, për të financuar përfitimet që u takojnë pensionistëve gjermanë.
Lufta në Ukrainë dhe nevoja për të frenuar Rusinë ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi buxhetet kombëtare. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se Evropa duhet të marrë përsipër një pjesë më të madhe të financimit të NATO-s dhe të gjithë barrën e mbështetjes për Ukrainën. Kievi ka shpenzuar tashmë një pjesë të madhe të fondeve evropiane që duhej të mjaftonin deri në fund të vitit 2027 dhe po kërkon sërish një ndihmë të konsiderueshme financiare për të përballuar dimrin.
Huaja prej 90 miliardë eurosh e BE-së synonte të mbulonte nevojat e Ukrainës deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, mungesa e financimit për vitin e ardhshëm vlerësohet tashmë në rreth 70 miliardë euro. Çmimet e larta të energjisë dhe humbja e furnizimeve me naftë e gaz rus kanë dëmtuar konkurrueshmërinë e industrisë evropiane, ndërsa objektivi i emetimeve neto zero (Net Zero) i ngarkon qeveritë evropiane me subvencione të mëdha për energjinë e rinovueshme. Evropa po përballet me kërkesa të rënda buxhetore, të cilat nuk mund të zbuten më duke u mbështetur te kontributet e bollshme financiare të Gjermanisë.
Viktima e parë e shtrëngimit të buxheteve shtetërore ka të ngjarë të jetë vetë Bashkimi Evropian. BE-ja nuk mund të ketë një profil të vërtetë global, të krahasueshëm me atë të fuqive të mëdha botërore, pa burime të mjaftueshme financiare. Kërkesa e Komisionit Evropian për një buxhet në përputhje me ambiciet e tij po dështon përballë kundërshtimit të kryeqyteteve kryesore kombëtare. Kur përballen me zgjedhjen midis ambicieve madhështore të BE-së dhe nevojave të brendshme, shtetet anëtare do të parapëlqejnë gjithmonë financimin e pensioneve. Të sakrifikosh Brukselin për Bordonë është një zgjedhje e lehtë.
Edhe pse ka mbijetuar për afro 70 vjet, socialdemokracia evropiane ka qenë gjithmonë një dukuri e kushtëzuar nga rrethana të veçanta. Shpenzimet e mëdha publike mbi të cilat u ndërtua vareshin nga një strukturë e favorshme demografike, epërsia industriale dhe tregjet fitimprurëse të eksportit. Tani që këto kushte nuk ekzistojnë më, Evropa nuk mund t’i mbajë dot përfitimet që u ka premtuar qytetarëve të saj.
Cikli i madh i zgjerimit të mirëqenies sociale po i afrohet fundit, pa burime të reja të ardhurash në horizont. Tregu amerikan mbrohet nga tarifat e reja doganore, ndërsa Kina e vërshon Evropën me eksportet e saj të subvencionuara. Kërkesa e konsumatorëve që gjeneron vetëm Tregu i Përbashkët Evropian nuk mjafton për të zëvendësuar të ardhurat nga eksportet, të cilat kanë qenë motori i ekonomisë gjermane dhe asaj më të gjerë evropiane për dekada me radhë.
Shembulli i Francës, ashtu si më parë ai i Greqisë, sugjeron se demokracitë sociale nuk kanë kapacitetin e nevojshëm politik për të reformuar veten. Ato janë shumë të afta në krijimin e përfitimeve të reja, por shumë pak të afta për t’i reduktuar ato. Ajo që e pret Evropën është një kurë e hidhur shtrëngimi fiskal, e administruar nga Banka Qendrore Evropiane, ose, nëse kjo nuk mjafton, nga kreditorët e pamëshirshëm të tregjeve ndërkombëtare të obligacioneve.
Projekti i madh evropian do të shndërrohet në një tjetër zë të buxheteve kombëtare, të parashikuar për t’u shkurtuar.