Vendimi i Apelit për çështjen “Qyno”, reagon Rrjeti Global për Mediat : Të alarmuar! Të respektohen të drejtat për mbrojtjen e burimeve gazetareske

Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për të mos i kthyer materialet e sekuestruara nga SPAK gazetarit Elton Qyno, ka sjellë reagime të shumta nga organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e medias dhe gazetarëve.

Rrjeti Global për Mediat e Pavarura në një reagim të fundit, thotë se është i alarmuar nga ky vendim, pasi nuk po respektohen standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve gazetareske

“IPI është alarmuar nga vendimi i gjykatës së apelit për lënien në fuqi të urdhrit të mëparshëm të një gjyqtari për kontrollin e banesës dhe pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno. Duhet të respektohen standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve gazetareske”, thuhet në reagim.

Gjykata e Apelit vendosi që të mos i kthejë materialet e sekuestruara, pavarësisht se prokurori deklaroi se nuk i interesojnë ato, por vetëm burimi i informacionit. Ky vendim absurd do të ankimohet në Gjykatën e Lartë, siç ka njoftuar edhe avokati i gazetarit Elton Qyno.