Shpresat e kushërinjve Maja se drejtësia do të vihej në vend pas ri-ekspertimit mjeko-ligjor kanë marrë fund, pasi edhe njëherë tjetër ekspertët kanë dalë në përfundimin se dhuna barbare e anëtarëve të fisit Rraja ndaj Bilbil dhe Jashar Majës është vetëm një “plagosje e lehtë” dhe dy të dhunuarit nuk kanë qenë në rrezik jete.
Në akt-ekspertimin e parë, ekspertit mjeko-ligjor Elton Serani, kishte deklaruar se kushërinjtë Maja nuk kishin patur rrezik për jetën, pavarësisht frakturave të shumta në kokë dhe trup, por goditjet kishin sjellë vetëm humbjen e përkohshme të aftësisë për punë.
Por ky ekspertim solli reagime të shumta dhe zemërim në opinionin publik, pasi të gjithë i kanë parë pamjet e dhunës barbare ndaj Bilbil dhe Jashar Majës, pamje të cilat ishin shpërndarë nga vetë autorët e krimit.
Prokuroria vendosi që të kryhej një tjetër ekspertim mjeko-ligjor, këtë herë nga 3 mjekë, por rezultati sërish nuk ka ndryshuar. Tashmë Prokuroria do të lërë në fuqi akuzën e “plagosjes së lehtë”, e cila hyn në kategorinë e veprave penale që ka një marsh dënimi nga gjobë deri në maksimum dy vite burgim.
Cilësimi i dëmtive ndaj dy personave të dhunuar si dëmtime të lehta, i hap rrugën dështimit të çështjes, pasi vepra penale ndiqet vetëm me ankimin e dy të dëmtuarve. Pra, nëse heqin dorë dy të dëmtuarit nga kallëzimi në polici, çështja pushohet automatikisht.
“Ndërsa nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor 1621 të datës 24.07.2023, mësohet se, në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plagë në lëkurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mprehës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve, që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.
Ndërsa nëpërmjet te dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor Nr 2017 të datës 18.09.2023, mësohet se, dëmtimet trupore të shtetasit Bilbil Maja, te shkaktuara në datën 06.07.2023, të përshkruara me hollësi në aktin e ekspertimit, janë shkaktuar me mjet te forte mprehëse, nuk janë te rrezikshme për jetën e te dëmtuarit ne momentin e shkaktimit, dhe si te tille janë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjelle si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për pune, në masën mbi nëntë ditë. Përfundimisht dëmtimet e shtetasve Bilbil e Jashar, Maja janë konsideruar të tilla, që përkojnë me kriterin mjekësor të veprës penale të ‘Plagosje e lehte me dashje’ parashikuar nga neni 89 i K.Penal e ajo është kryer në bashkëpunim pavarësisht rolit dhe për fshirjes në dhunë të secilit prej pjesëmarrësve dhunues.”, thuhet në dosje.
Djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe vëllai i tij janë ende në kërkim, por vendimi i mjekësisë ligjore dhe akuzat e Prokurorisë mund të bëjnë që ata të dalin sërish në skenë për t’u njohur me dënimin e gjykatës, që sipas gjithçkaje që ka ndodhur, duket se do të jetë në favorin e tyre.