Veliaj lëshon drejtorët, nuk jep doreheqje: Nuk kam hedhur firmën për punë të pista me ta

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar publikisht pas arrestimit të disa prej drejtorëve të kësaj bashkie, të cilët kanë përfituar tendera për kompaninë e tyre, në mënyrë të jashtëligjshme.

Pas skandalit që bëri që dje të ngrihej protestë para bashkisë, ku kërkohej dorëheqja e Veliajt, ky i fundit është shfajësuar totalisht ditën e sotme, duke larguar përgjegjësinë nga vetja dhe duke deklaruar se nuk ka ditur asgjë për këto shkelje që bëheshin në institucionin e tij.

Veliaj renditi punët e mira që drejtorët në fjalë sipas itj kanë bërë në bashkinë e Tiranës duke kërkuar që gjykata të thotë fjalën e fundit. Por ai tha se i zhvesh ata nga çdo mbrojtje tjetër përveç mbrojtjes ligjore.

Ai tha se puna e tyre nuk ka patur të bëjë fare me funksionin e tij dhe se s’jemi në komunizëm që t’i ndjekim drejtorët nga mbrapa, për çdo thashethem që dëgjojmë për ta.

“Nivelet ekzekutive të qeverisjes nuk janë as prokurori as gjykata, prandaj ne e shohim drejtësinë si aleate strategjike në këtë luftë dhe e mbështesim pa rezervë punën e saj, si një punë e domosdoshme për pastrimin e administratave tona nga elementët e korruptuar. Prandaj, edhe ekziston ndarja e pushteteve dhe e punëve në këtë sistem dhe prandaj, ligji ngarkon prokurorët e gjykatësit të bëjnë një punë që, as kryeministri, as ministrat, as kryetarët e bashkive, as mund ta bëjnë, as janë të lejuar me ligj që ta bëjnë.

Disa i bien shkurt: Po pse, nuk dëgjoni ju fjalë për njërin e për tjetrin? Patjetër që dëgjojmë edhe ne fjalë. Madje, më shumë se sa për të gjithë, për veten tonë! Po çfarë duhet të bëjmë, përveçse të pyesim veten apo të tjerët sa të vërteta janë këto fjalë! Dhe me veten e dimë çfarë është e vërtetë ose jo, ndërsa me të tjerët si ta verifikojmë deri në fund të vërtetën e fjalëve? T’u vëmë njerëz mbrapa? T’u fusim përgjues në makina dhe në shtëpi? T’i paraburgosim në një zyrë në bashki apo nëpër ministri, në bazë të dyshimeve dhe t’i mbajmë aty derisa të thonë të vërtetën?! T’i torturojmë? Këto janë të gjitha të pamendueshme, jo thjesht kriminale, në aspektin e ligjeve demokratike, të cilat fuqinë represive të shtetit ia njohin si ekskluzivitet organeve policore e gjyqësore, jo titullarëve të pushtetit ekzekutiv dhe politik!

Disa të tjerë thonë: Kur dëgjoni fjalë largojini menjëherë nga puna! Po nëse do të ndiqnim këtë kriter duhet të largonim veten nga puna çdo ditë nga gjithë thashethemet dhe fjalët, dhe nga ana tjetër, largimet nga puna të drejtuesve të administratës janë si në çdo vend europian edhe në Shqipëri, një përgjegjësi që me ligj nuk e ka asnjë titullar politik! E pra, punët janë të ndara, siç janë edhe përgjegjësitë e qëllimet tona publike nga përgjegjësia individuale e secilit para ligjit dhe nga qëllimet e erreta personale të kujtdo që përfiton në rrugë të paligjshme, duke abuzuar me detyrën, pas shpinës së institucionit e të atyre me të cilët e lidh puna e përbashkët.

Tani, padiskutim që mua nuk ka sesi të më vijë mirë, nëse akuzat e ngritura ndaj disa ish-drejtorëve e drejtorëve të Bashkisë Tiranës provohen të vërteta në gjykatë. Përkundrazi, më vjen tmerrsisht keq, që krahas angazhimit në plot punë të mira të përbashkëta, disa zyrtarë të rëndësishëm të kësaj bashkie të jenë angazhuar në punë të pista për përfitime personale. Por, në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë për ta, unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë.

Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia.

Unë i trembem shkeljes së normave me të cilat jam edukuar që fëmijë në këtë qytet dhe e kam frikë ligjin përpara se sa të bëhem një subjekt i ndëshkimit të tij, kështu që nuk e kam shkelur kurrë as ligjin, as besimin e atyre që më kanë dhënë tre herë mandatin për të drejtuar Tiranën. Prandaj, drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar.”, tha Veliaj.