Gjykata Administrative do të zhvillojë më datë 3 prill seancën lidhur me kërkesë padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për prokurorin Ols Dado.
Për të të fundit, që është prokurori i cili ka kryer hetimet ndaj Veliajt, kryebashkiaku prertendon se është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin pasi nuk plotësonte kriteret ligjore në atë kohë.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu.
“Nga provat e depozituara rezulton se z. Olsi Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit dhe nuk ka mbajtur asnjë nga funksionet e posaçme të renditura në nenin 18 të ligjit nr. 8737. Para emërimit të tij, ai ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk bën pjesë dhe nuk mund të përfshihet në asnjë nga kategoritë ligjore të përcaktuara si kritere të posaçme për emërimin si prokuror. Për pasojë, ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë”, thotë padia.
Në padi theksohet ndër të tjera se masat e sigurisë ndaj Veliajt por edhe kufizimi i ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.