Urdhër i ri për deputetët socialistë, të mbledhin sa më shumë njerëz për Ramën në Diasporë

Një ditë pas takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi me shqiptarët në Athinë, socialistët janë vënë në lëvizje që në takimet e ardhshme të kreut të qeverisë me Diasporen të mbledhin sa më shumë njerëz.

Ditën e sotme, grupi parlamentar i PS zhvilloi mbledhjen e përjavshme ku kryetari Bledi Çuçi kishte edhe disa porosi për deputetët socialistë.

Çuçi kërkoi që deputetët të angazhohem maksimalisht në takimet e Ramës në Diasporë, në Milano dhe në Londër, në ditët në vijim, për të çuar njerëz.

“Të gjithë kolegët që kanë lidhje personale apo elektorale të angazhohen për takimin e radhës në Milano pas dy javësh. Ju kërkoj ta merrni me shumë impenjim“,- i urdhëroi Çuçi deputetët e PS.

Kryeministri Edi Rama do të jetë më 26 maj në Milano dhe më 2 qershor në Londër. Rikujtojmë se në lidhje me takimin në Athinë, kryeministri grek e quajti atë një vizitë të panevojshme, dhe se duhej bërë një një moment të dytë.

Takimi që përkonte edhe me 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, ngjalli reagime të shumta në shtetin fqinj, ku disa prej politikanëve e kanë cilësuar një provokim që u bëhet qytetarëve grekë.

Por, gjatë fjalimit që mbajti për rreth një orë, kryeministri Rama u kujdes që të mos përmendte Fredi Belerin, një çështje që solli edhe tensione të marrëdhënieve mes dy vendeve.