Rënia e madhe e numrit të studentëve në Universitetet e rretheve po sjell shkrirjen e tyre pak nga pak. Të premten Universiteti i Korçës njoftoi se ka vendosur bashkimin e këtij institucioni me Universitetin e Tiranës, duke u kthyer kështu në një filial të tij.
Në qytetin ku ngriti themelet arsimi në Shqipëri, universitetit i kanë mbetur rreth 3 mijë studentë, 20 % më pak se një vit më parë. Shumica e tyre preferojnë degët si infermieri-mamia, pasi e shohin si mundësi për të ikur jashtë vendit.
Lajmi për shkrirjen e Universitetit Fan Noli me atë të Tiranës, ka indinjuar njerëzit në qytetin juglindor, të cilët besojnë se godina e tij do të kthehet në një hotel, njëlloj siç ndodhi me maternitetin e vjetër të Korçës, godina e të cilit u kthye në një investim të Rilindjes për të ndihmuar operatorët turistikë.
Ata thonë se së shpejti Korça do të kthehet në një fshat ku do të banojnë vetëm të moshuar pasi rinia po ikën. Në rrjetet sociale kanë “shpërthyer” komentet e korçarëve që po e shohin gjithnjë e më të pashpresë që qyteti ku u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe të mbajë “lavdinë” e dikurshme.
Mes tyre ekziston edhe frika se mos ky filial do të ketë fatin e filialit të Universitetit të Tiranës në Kukës, i cili u mbyll që në 2014 dhe tani është kthyer në rrënoja, i mbuluar me ferra.
Emigrimi masiv i të rinjve që i ka sytë jashtë shtetit dhe nuk sheh shpresë në këtë vend, po ndjehet sidomos nëpër këto institucione, të cilat përballen çdo vit me më pak studentë dhe më shumë mbyllje të degëve.
Edhe universitetet private në Tiranë, që kanë degë të tjera veç atyre të inxhinierisë apo mjekësisë po përballen me mungesë studentësh dhe mbyllje programesh.