Situata në Partinë Socialiste nuk është aspak e qetë, që prej ditës kur SPAK mori të pandehur Belinda Ballukun, teksa kërkesa për arrestimin e saj e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e socialistëve.
Edi Rama kishte vendosur t’i shkonte deri në fund mbrojtjes së Belinda Ballukut, madje duke sfiduar edhe drejtësinë, të cilën ka nisur ta sulmojë sa herë që i jepet mundësia, duke u munduar të linçojë publikisht edhe prokurorët apo gjyqtarët edhe me emra të përveçëm.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut, Rama bëri të qartë se kishte vendosur që të mos e dorëzonte imunitetin e saj, duke paralajmëruar edhe ndryshime në legjislaturë, vetëm që ish-zëvendësja e tij të mos përfundonte e arrestuar nga SPAK.
Në postimin e tij pas mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe para nisjes për në Bruksel, Rama tha se kërkesa e SPAK për imunitetin e Ballukut nuk është aspak urgjente, tashmë që ajo nuk ka asnjë post në qeveri.
“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, shkruante Rama ndër të tjera.
Menjëherë pas postimit të tij erdhi edhe reagimi i menjëhershëm i Komisionit Europian, që kërkoi nga Kuvendi të adresojë pa vonesë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, pasi “lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”.
Por, udhëtimi në Bruksel dhe takimi me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, duket se kanë bërë që kreu i qeverisë shqiptare të ndryshojë mendim për imunitetin e Ballukut. Për ndërkombëtarët, dalja kundër SPAK është një vijë e kuqe, ndaj edhe pse nga zyra e Ramës lajmet dolën se takimi ishte për anëtarësimin e Shqipërisë, vështirë të mendohet se nuk është diskutuar edhe për një çështje kaq të rëndësishme sa “lufta” e qeverisë me drejtësinë.
Burime i thanë Ditar.al se Rama nuk ka qenë aspak i qetë pas ardhjes nga Brukseli, aq sa askush nuk mund të flasë me të.
Dyshimet se Rama ka ndryshuar qëndrim mbi imunitetin e Ballukut bëhen më të forta pas deklaratës së djeshme në Kuvend të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Postimi i Ramës para nisjes për në Bruksel tregonte se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhej, por dje Balla tregoi se ky Këshill do të mblidhet sapo të zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.
Për ta zbutur sadopak “luftën” me SPAK, Balla tha se mazhoranca ishte e detyruar të priste vendimin e Kushtetueses, pasi Kuvendi ishte palë në atë proces, ndaj edhe është shtyrë mbledhja ku do të diskutohet mbi vendimin për imunitetin e ish-zv.kryeministres së pandehur nga SPAK.
“Qëndrimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është tërësisht në përputhje me Kuvendin. Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli ka një kohë të përcaktuar prej 3 muajsh. Vendimmarrja e marrë në Këshill qartazi ka thënë sesa kohë kishte një çështje ku palë e përfshirë ishte Kuvendi i Shqipërisë, natyrshëm që ishim të detyruar që të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur një vendim, edhe pse 8 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë palës kërkuese, kryeministrit që kishte ndërhyrje në kompetencat e Këshillit të Ministrave, parlamentit dhe presidentit.
Nuk ka asnjë dyshim që Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën, ndërkohë që ne do të vijojmë me një proces adresimi të asaj që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Na duhet ta marrim vendimin të zbardhur. I bëj thirrje që edhe pse nuk arritët dot të merrnin vendim, shpresoj shumë ta zbardhni vendimin dhe ta publikoni në fletoren zyrtare, Kuvendi i Shqipërisë, siç ka bërë në të gjitha rastet, edhe kur nuk është marrë jurisprudencë, na duhet ta lexojmë”, tha Balla.
Tashmë pritet që Kushtetuesja të zbardhë vendimin dhe Këshilli i Mandateve të shqyrtojë kërkesën e SPAK, teksa me interes pritet se si do të votojnë socialistët, nëse do të vijojnë mbrojtjen e Ballukut dhe të sfidojnë drejtësinë, apo do të dorëzohen dhe do të lënë që drejtësia të veprojë mbi ish-ministren e akuzuar për afera qindra milionë euro.